Thonë se dashuria është parajsa e kësaj bote. Ajo të bën të harrosh çdo gjë, madje edhe veten. Në qofsh plak, të bën të ri, e në qofsh i ri të bën të fluturosh. Të jetosh jetë në qiellë, në parajsë pra!
Ajo është mëndafshi i artë i shpirtit. Është hënëza që të ndriçon natën. Është freskia e jetës.
Dikur, kurdoqoftë, çdokush do të dashurojë të paktën një herë. Po qe i dashuruar ndokush, do të rilindë. Do të rrijë zgjuar në vend se të flejë. Do të vrapojë në vend se të ecë. Do të këndojë në vend se të flasë. Do të fluturojë në vend se të vrapojë. Do jetojë vërtet në qiellë, në parajsë pra!
Po kush është dashuria vallë që të bën të harrosh gjithçka?
Thonë se dashuria është një majë mali ku ngjitemi me krahët e ëndrrës, shpresës e gëzimit, dhe ashtu qenka. E vërtet plotësisht!
Unë dashurova një herë. Vërtet që gati fluturova. Teksa shkoja në vendtakimin tonë këmbët s’i prekja në tokë, s’di si ecja. E si është ndryshe fluturimi?
Ah, sikur ato takime të ditëpasditëshme e të shumëpritura kur minuta bëhej orë e ora muaj, të mos mbaronin kurrë. Sikur ato shtrëngime duarsh të përsëriteshin çdo ditë, edhe sot. Sikur ato fjalë mjalti t’i dëgjoja dhe tani. Ah …,!
Unë nuk e besoj që parajsa mund të shndërrohet në ferr, por ja që mua më ndodhi. Ferri të bën të kujtosh çdo gjë, madje edhe veten.
Tash më nuk fluturoj, eci si gjithë njerëzia, thuajse gati zhagas. Vetëm sa s’më shqelmojnë njerëzia tek sa më presin e largojnë nga prania ime me ta.
Dikur do të dëshiroja të isha pluhur që të më shkilte këmba yte. E tash …? Tash teksa qëndroj ashtu më shqelmojnë të tjerët. Vërtet e vështirë.
Vuajtja qenka veshje kufome e të gjallëve. Natë e errët. Dhimbjeje shpirti.
Shpresoj që kurrë askush të mos shijojë humbjen e dashurisë, ngase, vërtet qenka më e madhe se dhimbjaja. Ajo të bëka të shkosh me dëshirë drejt humerës. Lotët, që bënë rrugën e tyre nëpër fytyrën time, qenkan vetëm ngushëllimi i dashurisë së humbur. Çdo çast është tronditje shpirti.
Po humbi dashurinë ndokush do të vdes. Do të fjelë edhe pse do të jetë zgjuar. Do të ec në vend se të vrapojë. Do të flasë në vend se të këndojë. Do të jetë vërtet i vdekur duke qene se është ende i gjallë.
Kam dëgjuar të thonë se dashuria është një majë mali nga ku ne zbresim me hapat e dhimbjes, urrejtjes e trishtimit, dhe ashtu qenka. E vërtet plotësisht!
Miqë të mi, dashuria është dhurata më e bukur që kemi. Po ditëm të dashurojmë, vërtet që do të jetojmë, e po s’dashuruam vërtet, do ta pësojmë përjetë.
Një poet thotë: “Jeta është e bukur po dite ta jetosh. Ajo të dhuron dhimbje, por duhet ta sfidosh.”